Sahat Kulla është një orë publike e ndërtuar në shekullin XIX e cila gjendet në qendrën e vjetër të Prishtinës, në oborr të ndëtesës së gjimnazit, në rrugën Emin Duraku. Këmbana e saj është e dekoruar me një numër të madh ornamentesh, të ngjashme me gjethet e ahut. Sahat Kulla është ndërtesë me bazë gjashtëkëndëshe, lartësia e saj është 26m, është e murosur me gurë deri në lartësinë 16.5m dhe me tulla të plota në pjesën tjetër të ndërtesës. Në brendi të Sahat Kullës janë shkallët rrethore. Orët publike të vendosura në kulla të larta luajtën një rol të rëndësishëm për matjen e kohës në jetën e përditshme deri në shekullin e 20-të, kur orët e sakta (personale) u bënë të përballueshme financiarisht për qytetarët e zakonshëm.

Edhe pse Sahat Kullat dikur i shërbenin një qëllimi të rëndësishëm, ato në ditët sotme admirohen kryesisht për historinë e estetikën e tyre dhe ruhen si trashëgimi kulturore – historike të një vendi. Sahat Kulla më e hershme ishte Kulla e Erërave në Athinë, e ndërtuar në shekullin I para Krishtit gjatë periudhës së Greqisë Romake.