Shatërvani i vjetër i qytetit të Prishtinës është i vendosur në pjesën qëndrore të qytetit, në mes objektit të Muzeut të Kosovës dhe Xhamisë së Çarshisë. Në Prishtinë ka pasur me dhjetëra shatërvanë publik, por vetëm ky ka mbijetuar deri më sot dhe është monument i trashëgimisë kulturore. Është i punuar dhe dekoruar në material të mermerit, dhe mendohet të jetë realizuar ndërmjet fundit të shekullit XVII dhe fillimit të shekullit XVIII.
Në të kalurën, përpara se uji i pijshëm të sigurohej në shtëpitë private, uji për pije vihej në dispozicion të qytetarëve përmes shatërvanevet publike. Shumë nga këto burime të hershme publike të ujit përdoren ende në vende të ndryshme nëpër botë.